Komuna e Crans-Montana ka pranuar se kanë ndodhur “mangësi” në kryerjen e kontrolleve periodike të sigurisë dhe kundër zjarrit në klubin e natës që u shkatërrua nga flakët natën e Vitit të Ri, tragjedi kjo që çoi në vdekjen e 40 personave.
“Kontrollet periodike nuk janë kryer gjatë periudhës 2020–2025. Na vjen thellësisht keq për këtë,” deklaroi sot presidenti i Crans-Montanas, Nikolas Ferro, gjatë një konference për shtyp në qendrën zvicerane të skive, pa qenë në gjendje të japë shpjegime konkrete për këtë “neglizhencë” në zbatimin e kontrolleve.
Gjatë një konference për shtyp, prokurorja Beatrice Pilloud kishte deklaruar lidhur me shkaqet e zjarrit vdekjeprurës.
“Nga sa mund të konkludojmë deri më tani, zjarri duket se ka nisur nga fishekzjarrë të vegjël, të cilët u afruan shumë pranë tavanit të klubit. Kjo ka qenë, me shumë gjasa, shkëndija fillestare e zjarrit, i cili u përhap me shpejtësi të madhe.
Ekziston material i filmuar që po analizohet.
Po ashtu, ka shumë dëshmitarë që po merren në pyetje, ndërsa po përgatiten raporte dhe janë hartuar lista me personat që ndodheshin në ‘Le Constellation’ mbrëmjen e natës së Vitit të Ri”, tha ajo.
Sipas prokurores zvicerane, faza e ardhshme e hetimit do të fokusohet te materialet e përdorura për veshjen e mureve brenda klubit, licencat e funksionimit, masat e mbrojtjes nga zjarri që ishin ose nuk ishin marrë (fikëset e zjarrit, daljet e emergjencës, numri i klientëve atë natë fatale në raport me kapacitetin maksimal të lejuar etj.).
Ndërkohë, sipas informacioneve, autoritetet po hetojnë çiftin pronar të barit si të dyshuar për vepra penale që përfshijnë edhe vrasjen nga pakujdesia.

