Skip to content

U harxhuan plot 260 milionë euro, por rruga Qukës-Qafë Plloçë nuk gjen qetësi, pëson shembje edhe segmenti që lidhet me Pogradecin

Posted on December 9, 2025December 9, 2025 By Punnik

Pa u mbyllur ende problematika e shembjes masive të rrugës Qukës-Qafë Plloçë në dalje të tunelit, një tjetër segment i aksit nacional i inauguruar në muajin shtator, ka pësuar dëmtime të shumta.

Një pjesë e trotuarit pranë fshatit Gështenjas në aksin Pogradec-Qafë Plloçë është shembur plotësisht. Bashkë me rrëshqitjen e trotuarit raportohet se janë dëmtuar edhe rrjetet nëntokësore, ndërsa rrezikohet edhe karrexhata e rrugës.

Ndonëse kalon mes zonave të banuara, ky aks prej muajsh është pa ndriçim, duke rrezikuar seriozisht jetën e këmbësorëve. Sipas të dhënave, rikonstruksioni i rrugës, zgjerimi i korsive, vendosja e trafikndarësve, trotuareve dhe sistemi i ndriçimit përfunduan si investim në shtator të vitit 2018.

Aksi Qukës-Qafë Pllocë kushtoi rreth 260 milionë euro dhe përfundoi pas 14 vitesh, por mjaftuan vetëm dy muaj përdorim që rruga të dalë jashtë funksioni.

Shembjet masive tregojnë se cilësia e punimeve është mjaft e dobët dhe në terren kanë munguar studimet e mirëfillta gjeologjike mbi qëndrueshmërinë e tokës.

Shembjet e përsëritura ngrenë dyshime të forta për mënyrën e projektimit të rrugës, për mbikëqyrjen dhe cilësinë e ndërtimit. Rruga që u trumbetua si një investim strategjik që do të lidhte Perëndimin me Lindjen po kthehet në shembull të keqmenaxhimit të fondeve publike për ndërtimin e saj.

Për tenderat e zhvilluara për këtë segment, SPAK po heton ish-zv/kryeministren Belinda Balluku.

Aktualitet

Post navigation

Previous Post: Arrati si në filma hollivudianë, zbardhet metoda që përdori Taulant Toma. Mjeshtri po kërkohet në gjithë Italinë
Next Post: Horoskopi Ditor E Martë 9 Dhjetor 2025

Copyright © 2026 .

Powered by PressBook WordPress theme