Mihal Pavllo Mërkuri, i dënuar për tentativë vrasjeje, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku ndodhej i shtruar prej disa ditësh. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:35, ndërsa shkaku paraprak i vdekjes raportohet të jetë arrest kardiak dhe hemorragji në kokë. Mërkuri ishte shtruar në QSUT më 18 janar 2026, rreth orës 20:21, dhe i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të hemorragjisë së brendshme (hemoperitoneum).
Megjithatë, rasti ka ngritur pikëpyetje serioze, pasi vetëm pak orë para vdekjes së tij, QSUT u përfshi nga mungesa e energjisë elektrike, situatë që sipas raportimeve shkaktoi kaos në urgjencë dhe detyroi nxjerrjen e disa pacientëve nga kujdesi intensiv.
Nuk dihet ende nëse Mihal Mërkuri ndodhej në reanimacion apo në terapi intensive në momentin e ndërprerjes së energjisë, dhe nëse kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt apo tërthorazi në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për hemorragji të brendshme, pacientët ndodhen në një gjendje jashtëzakonisht të brishtë, ku çdo çast ka rëndësi. Nëse ai ishte në reanimacion apo terapi intensive gjatë ndërprerjes së energjisë, mungesa e energjisë mund të ketë penguar funksionimin normal të monitorëve të parametrave jetësorë, ventilatorëve, pompave për medikamente ose oksigjen, duke vonuar reagimin e menjëhershëm të mjekëve ndaj çdo ndryshimi kritik.
Tek një pacient pas hemorragjisë dhe operacionit, edhe pak minuta pa mbikëqyrje të plotë mund të përshpejtojnë përkeqësimin e gjendjes, të rrisin rrezikun për arrest kardiak ose hemorragji të mëtejshme, dhe në kështu, mungesa e energjisë mund të ketë qenë një faktor që ka kontribuar, tërthorazi. Por fjalën e fundit do ta thonë hetimet.
Policia ka bërë të ditur se rrethanat e vdekjes po hetohen, ndërsa pritet që verifikimet të përfshijnë edhe kushtet spitalore gjatë natës kritike, përfshirë funksionimin e pajisjeve mjekësore dhe protokollet e ndjekura gjatë ndërprerjes së dritave.
Mihal Pavllo Mërkuri, i lindur më 25 janar 1979 në Sarandë, ishte i dënuar me 10 vite burg për “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve”, ishte ekstraduar nga Greqia në qershor 2023 dhe vuante dënimin në IEVP Burrel, nga ku ishte transferuar për trajtim mjekësor.JOQ
