Ish deputeti i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi ka reaguar lidhur me situatën e mungesës së ujit në Vlorë, duke deklaruar se qyteti ka qenë pa furnizim për gjashtë ditë, duke e cilësuar situatën si alarmante për qytetarët.
Sipas tij, uji është një nevojë jetike dhe jo luks, pasi lidhet drejtpërdrejt me jetesën, higjienën dhe nevojat bazë të përditshme.
Gjunkshi thekson se vetëm pas katër ditësh pa ujë qytetarët dolën në protestë, ndërsa në të njëjtën kohë, sipas tij, punonjës të Bashkisë merrnin pjesë në aktivitete festive.
“Dhe u desh edhe protesta e kësaj të hëne që të reagonte Kryeministri Edi Rama. Madje, reagimi ishte për ta “siguruar” ujin… për gjysmë dite. Këtë duhej ta bënte që ditën e parë, nëse do të kishim një shtet serioz.
Por ne nuk kemi shtet serioz. Frika nga 200 protestues mjaftoi që Kryeministri të vepronte me urgjencë. Dhe tani, për një tub uji, u bë një show, sikur në Vlorë po zbarkonte një anije kozmike”, shkruan Gjunkshi në Facebook.
Reagimi:
Prej 6 ditësh, Vlora është pa ujë.
Qytetarët janë në hall të madh, sepse pa ujë nuk jetohet. Uji është jetik, sidomos për nevojat bazë, për higjienën, për tualetin. Kjo nuk është luks.
Është minimum jetese.
U deshën 4 ditë pa ujë që qytetarët të dilnin në protestë, ndërkohë që punonjës të Bashkisë festonin në një mbrëmje gala. Ky kontrast është fytyra reale e pushtetit sot: qyteti pa ujë, pushteti në festë.
Vetëm pas protestës së parë nisën të “zgjohen” institucionet.
Dhe u desh edhe protesta e kësaj të hëne që të reagonte Kryeministri Edi Rama. Madje, reagimi ishte për ta “siguruar” ujin… për gjysmë dite.
Këtë duhej ta bënte që ditën e parë, nëse do të kishim një shtet serioz.
Por ne nuk kemi shtet serioz.
Frika nga 200 protestues mjaftoi që Kryeministri të vepronte me urgjencë. Dhe tani, për një tub uji, u bë një show, sikur në Vlorë po zbarkonte një anije kozmike.
Pastaj sheh keqpërdorimin e Policisë së Shtetit të cilët bëjnë shoqërimin e tubit, a thua se po transportonin armë kimike. Sa qesharakë që janë.
Përdorimi i policisë dhe ushtrisë për propagandë është fundi!
E kujt është përgjegjësia që Vlora të rrijë 5 ditë pa ujë?
Patjetër… Saliu. Sepse investimi i ujësjellësit qenka i vitit 2009. Pra, një investim i Sali Berisha “paska faj”, edhe pse kanë kaluar 16 vite.
Ndërkohë, një investim i Edi Ramës, rruga Qukës–Qafë Plloçë, me 360 milionë euro, u shemb 2 muaj pas inaugurimit.
Ky është dallimi:
-investimet e propagandës shemben,
dhe dështimet mbulohen me show.
Ky është Edi Rama: njeriu i skenës, i propagandës, dhe i talljes me qytetarët.
Vlora sot nuk ka nevojë për shfaqje.
Vlora ka nevojë për ujë, për përgjegjësi dhe për shtet.

