Skip to content

Vrasja e taksistit shqiptar në Belgjikë: Kapen dy të rinj, motivi…

Posted on January 28, 2026January 28, 2026 By Punnik

Dy të rinj, 20 dhe 24 vjeç, janë arrestuar dhe janë lënë në paraburgim në lidhje me vrasjen e një shoferi taksie në qytetin Geel të Belgjikës. Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria e Antverpit, e cila bën me dije se masa e sigurisë është vendosur nga gjyqtari hetues, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht.

Viktima është shtetasi shqiptar Marko Beka, 45 vjeç, banues në Geel dhe me profesion taksist. Ai u qëllua për vdekje me armë zjarri mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:00, pranë një parku pas kishës në fshatin Larum.

Në momentin e ngjarjes, Beka ndodhej në bisedë me disa persona që dyshohet se ishin pasagjerë.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të emergjencës, 45-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Ai la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë.

Sipas autoriteteve belge, pista kryesore e hetimit lidhet me një debat që ka dalë jashtë kontrollit. Megjithatë, Prokuroria thekson se viktima “nuk ishte zgjedhur rastësisht”, çka lë të hapur mundësinë që ngjarja të mos ketë qenë thjesht spontane.

Motivi i saktë i krimit mbetet ende i paqartë dhe nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për një konflikt të çastit apo për një akt të paramenduar.

Zona ku ndodhi vrasja u rrethua për disa orë, ndërsa në vendngjarje mbërritën hetuesit, laboratori kriminalistik dhe mjeku ligjor. Prokuroria e Antverpit ka deklaruar se hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e krimit dhe rolin e secilit prej të dyshuarve.

Aktualitet

Post navigation

Previous Post: Aksidenti fatal me 7 viktima në Rumani! I mbijetuari flet për shkaqet: Çfarë ndodhi me shoferin
Next Post: SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, protestuesit para Kryesisë së Kuvendit: S’mund të mbrohen hajdutët! Zv. kryeministrja të përballet me drejtësinë

Copyright © 2026 .

Powered by PressBook WordPress theme